Enis Osmani zgjidhet kryetar i ri i Degës së Partisë GUXO në Mitrovicë
Në kuadër të procesit të rregullt zgjedhor të strukturave të Partisë GUXO, Dega e GUXO-s në Mitrovicë mbajti Kuvendin e saj Zgjedhor, duke dëshmuar përkushtimin, unitetin dhe vullnetin e anëtarësisë për forcimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të strukturave të Partisë GUXO në Mitrovicë.Me besimin e delegatëve, Enis Osmani, Nënkryetar i Komunës së Mitrovicës, u zgjodh kryetar i ri i Degës së GUXO-s në Mitrovicë. Në këtë Kuvend u zgjodhën gjithashtu Kryesia e re e Degës dhe delegatët për Kuvendin Qendror të Partisë GUXO.Kryetari i deritanishëm i Degës dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, falënderoi anëtarët e Partisë GUXO për mbështetjen dhe angazhimin e tyre në rrugëtimin e përbashkët për ndryshimin në Mitrovicë.
Në fjalën e tij, Peci theksoi se tashmë është koha që të rinjve t’u jepet hapësira dhe përgjegjësia për të vazhduar rrugën e konsolidimit dhe fuqizimit të Partisë GUXO në Mitrovicë.Kryetari i ri i Degës, Enis Osmani, para delegatëve dhe Kryesisë Qendrore, shprehu përkushtimin për shtrirjen dhe fuqizimin e mëtejshëm të strukturave të GUXO-s në lagjet dhe fshatrat e Mitrovicës.Ai theksoi rëndësinë e të qenit sa më afër qytetarëve, të dëgjimit nga afër të shqetësimeve dhe kërkesave të tyre dhe të punës së përbashkët për adresimin e nevojave dhe sfidave të qytetit të Mitrovicës.
GUXO – Dega në Mitrovicë